Rama konfirmon Tërmetin. Kryeministri flet për investimet në Tepelenë

22/05/2018 11:54

Bashkinë më të madhe në Qarkun e Gjirokastrës e drejton LSI-ja, por socialistët kanë Tërmet Peçin e Tepelenës. Njeriut të “fitoreve publicitare” i shkoi për vizitë Edi Rama, i cili e quajti shembull përsa i përket shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Vihet në jetë ajo shprehja e popullit: hallin që s’ma zgjidh dot, të paktën ma qaj”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi edhe më tej punën e kryebashkiakut, sidomos përsa i përket ndryshimit të qytetit dhe rritjes së numrit të turistëve: “Ku kalonte ndonjëherë turist në Tepelenë? Nuk e harroj kur Tërmeti më ka çuar mesazhin e parë: U shfaqën edhe disa suedeze më në fund përballë Ali Pashait”.

Tërmeti i Tepelenës nuk shemb mure, por i kthen ato në elozhe për shefin ish-basketbollist që sot e thërret komandat, të cilin e ka pikturuar në ambientet e reja për lojrat me dorë.

“Faktikisht, këto duartrokitje nuk janë për mua, janë për komandantin. Siç bëri këtë mrekulli kryeministri, të na bëjë edhe një stadium për gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Emrin e vëmë si të duash, po deshe “Arena Ali Pasha”, si të jetë… Më lejoni që ta bëj edhe ta ngrejë pak tonin, falë edhe një herë… se nuk dua të them 100 herë falë e falë, por të na rrojë sa malet…. zhvillimin e parkut eolik në Maikosh, energji të rinovueshme përmes erës, 15 milionë euro investohen në Tepelenë në zonën e Maikoshit, me 70 vende pune. Ky burri këtu i bën! Po ka burrë nëne që ka vënë dorë dhe vë dorë këtu, je vetëm ti”, tha Peçi në fjalën e tij.

Lavdet funksionuan për kryebashkiakun e Tepelenës, të cilin komandanti duket se e rikonfirmoi si kandidaturë për vitin 2019: “Do të vazhdojmë projektet me Tërmetin dhe është një shembull, jo për ato që thotë për mua se i them 100 herë mos i tepro këto, por Tërmeti është i vendosur, nuk kam çfarë i bëj dhe në fund i del llogaria, i merr votat për ato fjalë që thotë për mua”.

Rama nuk iu përgjigj kërkesës për stadium, por premtoi se në qershor do të nisë puna për ujësjellësin e Tepelenës.

Top Channel