Qelitë e burgjeve rëndom nuk janë vetëm ambientet e rënda ku disa të dënuar kalojnë ditët e dënimit. Shumë prej tyre për të mos ndenjur kot nisin të krijojnë objekte të ndryshme me mjete rrethanore. Një panair me këto objekte është hapur në burgun e Rrogozhinës.

Nik Gjeka po vuan 23 vite burg për vrasje, nga të cilat ka bërë 7. Kohën e lirë në burgun e Rrogozhinës e kalon duke punuar anije, kuti dhe sende të tjera artistike.

I vetëdijshëm siç shprehet për gabimin që ka bërë në jetë, Niku thotë se arti e ndihmon të gjejë kuptimin e jetës. “Tani po merrem me punime artistike. Po kryej d;nimin, jam në rregull”, shprehet Nik Gjeka.

Një tjetër i dënuar, Tomorr Kasa, punon tavlla cigaresh. I dënuar me 13 vjet burg, ai e ka mësuar në këtë mjedis si të punojë drurin.

Të dënuarit dhe familjarë të tyre u bënë bashkë në një panair në mjediset e burgut të Rrogozhinës.

Prindërit thonë se këto aktivitete u lehtësojnë shpirtin. Të ardhurat nga puna e të dënuarve do t’u dërgohen familjeve të tyre.

Top Channel