TopAwards/ Devis Xherahu tregon me kë artist shqiptar s’do bashkëpunonte kurrë

21/05/2018 16:19

Ai është një emër tepër i njohur në fushën e muzikës dhe për hir të së vërtetës tepër i pëlqyer. Bëhet fjalë për Devis Xherahun, i cili vetëm pak ditë më parë ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Embel ti me pe”.

I ardhur tepër energjik dhe i ëmbël në këtë projekt muzikor, Devisi, falë mbështetjes së fansave, ka mundur të bëhet pjesë e klasifikimit të “The Top List” për herë të parë. Devisi ka treguar për “Top Awards” detaje të kësaj kënge dhe çdo të thotë për atë, të jetë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Top Awards: “Embel ti me pe”, mendoni se ju ka sjellë pak ndryshe nga projektet e mëparshme muzikore apo mbeteni tek i njëjti zhaner muzikor?

Devis Xherahu: “Embel ti me pe” vjen pas dy hiteve të mia të fundit, “Me pelqen ajo” dhe “Per ty mbarova”, pra jam në të njëjtën rrymë dhe stil të dy viteve të fundit.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin? Ku është xhiruar ai?

Devis: Muzika dhe orkestracioni është krijuar nga miku dhe bashkëpunëtori im i vjetër, Gent Myftaraj. Teksti nga dy djemtë e talentuar Marly dhe Santi. Klipi është realizuar nga kompania serioze në treg, “Dart Channel” dhe është xhiruar në Korçë. E veçanta e këtij klipi është se të gjithë personazhet që marrin pjesë janë korçarë, së bashku me mua sigurisht.

TA: Keni hasur ndonjë “problem” gjatë xhirimit të këtij klipi pasi jeni i rrethuar nga shumë vajza në super formë?

Devis: Përkundrazi, të gjitha vajzat e këtij klipi bashkëpunuan me shumë dashuri dhe vlerësim që ishin pjesë e këtij klipi dhe fatmirësisht patëm vetëm pozitivitet dhe një super alkimi të gjithë bashkë.

TA: Ka ndonjë detaj që të pëlqen më pak në këtë projekt muzikor?

Devis: Çdo detaj ka vendin e vetë në këtë klip sepse çdo detaj ka një kuptim dhe një pozicion në skenarin dhe regjinë e këtij klipi, pra ka një ndërthurje organike.

TA: Mund ta konsiderojmë këtë këngë të sezonit veror apo keni ndërmend të publikoni një tjetër projekt deri në përfundimin e verës?

Devis: Ky projekt, edhe pse nuk ka detin në klip, unë eksperimentova që edhe pamjet e Korçës të krijojnë atmosferën verore dhe mendoj se ia kam arritur. Por gjithësesi ne me Gentin krijojmë surpriza kur jemi në studio pra më mirë surprizë të jetë, nëse do jetë…(buzëqesh).

TA: Numëroni shumë bashkëpunime në karrierën tuaj muzikore, ju personalisht kë preferoni më shumë këngët “solo” apo bashkëpunimet?

Devis: Këngët janë si fëmijët që dashuria është njësoj dhe secili ka karakterin dhe veçantinë e vetë, pra qofshin “solo” apo bashkëpunime, ato janë këngë dhe secila ka bukurinë dhe vendin e vetë në repertor.

TA: Artisti apo artistja shqiptare që nuk do bashkëpunoje asnjëherë?

Devis: Vetëm në rastin e artistit apo artistes që nuk do mund të këndonte “live”, vetëm atëherë nuk do bashkëpunoja në mënyrë kategorike.

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List” për herë të parë?

Devis: Sigurisht është vlerësim nga ana e stafit të përzgjedhjes së klipit tim në këtë standard të lartë, të 100 këngëve më të mira të momentit në Shqipëri dhe gjej rastin të falenderoj përzemërsisht këtë staf.

Ta: Një mesazh për fansat që mbështesin muzikën tende?

DevisUroj që kënga ime, “Embel ti me pe”, t’i shoqërojë gjatë gjithë kohës në jetën e tyre të përditshme. Ju Dua.

Top Channel