Pompeo, 12 kërkesa Iranit: SHBA, sanksionet më të rënda

21/05/2018 15:49

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi këtë të hënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “sanksionet më të rënda në histori” ndaj udhëheqësve iranianë, pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Pompeo publikoi edhe 12 kërkesa për Iranin, e tha se lehtësimi i sanksioneve do të bëhet vetëm kur Uashingtoni të shohë kthesën e prekshme të politikës iraniane.

Ai bëri thirrje për një marrëveshje të re bërthamore me Republikën Islamike pas vendimit të marrë nga presidenti Trump për tërheqjen nga ai i vjetri i nënshkruar nën drejtimin e Obamës, ndërsa shtoi se administrata aktuale preferon që pakti i ri të jetë në formën e një traktati që të ratifikohet nga Kongresi.

12 kërkesat themelore ndaj Iranit përfshijnë “ndalimin” e pasurimit të uraniumit dhe plutoniumit të parapërgatitur. Irani duhet të lejojë gjithashtu “të gjitha qasjet e nevojshme” të inspektorëve ndërkombëtarë në të gjitha mjediset e vendit islamik.

Pompeo shtoi se Irani duhet të lirojë të gjithë shtetasit amerikanë, t’i japë fund mbështetjes për rebelët Houthi në Jemen, të tërheqë të gjitha forcat nga Siria dhe të ndalet së kërcënuari Izraelin.

Top Channel