Ministri Bushati në Dropull: Ligji i minoriteteve më moderni

21/05/2018 20:58

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në turin e llogaridhënies në Grapsh të Dropullit. Ligji i minoriteteve, tha ai, është më moderni dhe Shqipëria është një nga vendet anëtare të Konventës kuadër që ka një ligj të tillë.

“Ligj mjaft modern dhe Shqipëria është një nga vendet anëtare të Konventës kuadër që ka një ligj të tillë dhe së bashku skicuam rrugën drejt zbatimit të këtij ligji, përmes jo vetëm miratimit të akteve nënligjore që i japin efekt praktik ligjit po diskutuam dhe për projekte të përbashkëta. Kur vjen puna për minoritetin grek në Shqipëri, më lejoni që dhe një herë të ritheksoj të gjithë mirënjohjen që ne kemi përsa i përket kontributit tuaj, zhvillimet politike ekonomike shoqërore”, tha ministri z. Bushati.

Në dosjen marrëdhënieve me Greqinë, janë adresuar problematika 70-vjeçare, ku minoriteti konsiderohet një urë lidhëse, ku bashkë me qeverinë greke ekziston dëshira e zbatimit të projekteve zhvillimore që synon integrimin më të mirë të minoritetit grek në jetën politike dhe shoqërore.

“Qeveria e Edi Ramës ka hapur një faqe të re në rindërtimin e besimit të marrëdhënie me Greqinë duke adresuar një dosje që kanë problematika 70 vjeçare, ku konsiderohet minoriteti si një urë lidhëse, dhe kjo qeveri dëshiron që së bashku me qeverinë greke të zbatojë projekte zhvillimore që synojnë integrimin më të mirë të minoritetit grek në jetën politike dhe shoqërorë. Shenjë në angazhimin e qeverisë së Edi Ramës është që në këtë proces ndihmohem nga Artemisa, një bijë e juaja, që bashkërendon këtë proces duke bashkëpunuar ngushtë me Konstandinën, një bijë e juaja gjithashtu, për të përmirësuar të gjithë legjislacionin, praktikat, mënyrën si duhet të operojnë institucionet shqiptare dhe për të lehtësuar këtë proces të integrimit sa më të mirë të komunitetit tuaj në jetën politike, ekonomike e shoqërore. Nuk është rastësi që një pjesë e mirë e atyre që kontribuojnë në GDP e vendit, biznesmenëve, vjen nga kjo zonë që është dëshmi e faktit që e keni ndërtuar jetën tuaj me djersën e ballit. Nuk është rastësi që në vitet me të vështira siç ishte ‘’97 janë paguar detyrimet e energjisë elektrike, ujit dhe kur shteti ka qenë vetë në pikëpyetje. Prandaj është jo vetëm angazhimi i qeverisë së Edi Ramës po dhe detyra jonë për të punuar me ju si partnerë për të çuar së bashku jo vetëm ligje që janë certifikuar dhe nga KE, si të tilla ku Shqipëria është pararojë po dhe për të punuar me qeverinë greke, instancat të tjera ndërkombëtare për të zbatuar projekte që kanë lidhje me atë që Papa nuk ka nguruar ta konsideroj si uniteti në diversitet”, u shpreh z. Bushati.

Top Channel