Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbajti në Sarajevë një tubim elektoral, që pritet të jetë i vetmi i këtyre përmasave në tokë të huaj, i lidhur me zgjedhjet e 24 qershorit.

Nga kryeqyteti i Bosnjes, kreu i shtetit turk iu drejtua rreth 3 milionë turqve që jetojnë jashtë kufijve, me një fjalim që mund të ketë ndikim të madh mbi rezultatin përfundimtar zgjedhor.

“Kjo turmë dhe ky zë i njerëzve të Sarajavës janë shenjat e një fitoreje të madhe në zgjedhjet që do të mbahen në Turqi. Vendet europiane nuk i deshën tubimet tona, por Bosnja na e dha këtë mundësi. Bosnja dëshmoi demokracinë e saj”, tha Erdogan.

Me këto fjalë, Erdogan iu referua faktit që në disa shtete europiane, ngjarje të ngjashme u ndaluan. Por, presidenti turk e gjeti mundësinë ta thotë fjalën e tij.

Tubimi u mbajt në kompleksin olimpik “Zetra”, ku sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu” morën pjesë rreth 12 mijë vetë, ndërsa 10 mijë të tjerë ishin mbledhur jashtë godinës.

Përveç turqve, të pranishem ishin edhe boshnjakë lokalë e të tjerë myslimane boshnjakë. Erdogani i nxiti turqit e diasporës në mbarë kontinentin e vjetër të marrin dyshtetësinë, të mësojnë gjuhët e vendeve ku jetojnë, përfshirë atë boshnjake, e të jenë aktivë në jetën politike.

Ai nuk harroi si gjithmonë të godiste armikun e vet të madh, klerikun Fethullah Gulen dhe organizatën e tij “FETO”, ndërsa përpara mitingut premtoi investime të reja turke në Bosnje, teksa diskutonte bashkëpunimin ekonomik me Bakir Izetbegoviçin e Presidencës boshnjake. Ky i fundit do të shprehej më vonë se Erdoganin e ka dërguar Allahu që të drejtojë Turqinë.

Top Channel