Trajneri i kombëtares argjentinase të futbollit zyrtarizoi dhe emrat e listës zyrtare me të cilët do të synojë të fitojë botërorin këtë verë, një mision në të cilin “Seleccion” dështoi para 4 vjetësh në finalen me Gjermaninë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, mes 23 futbollistëve që do të marrë në Rusi, seleksioneri Sampaoli nuk ka preferuar të ketë sulmuesin Mauro Icardi.

Pavarësisht një sezoni fantastik me Interin, duket se problemet jashtë fushës dhe zgjedhjet e shumta në repartin ofensiv, e kanë bërë trajnerin që të mos i besojë futbollistit, një vend qoftë edhe provizor. Sampaoli bëri zyrtare listën në qendrën stërvitore të Ezeiza, aty ku Argjentina do të nisë përgatitjet në 24 Maj.

Emri surprizë është Kristian Ansali, i grumbulluar për shkak të problemeve fizike të Merkado që nuk dihet nëse do të jetë në listën finale. Një tjetër zgjedhje e diskutueshme e trajnerit është përjashtimi i Lautaro Martinez, një lojtar i dashur në vendlindje.

Argjentina ka grumbulluar dyshen e Juventus, Dybala dhe Higuain ndërsa zgjedhjet në sulm janë një luks për këdo. Mesi, Aguero dhe Pavon i shtohen repartit ofensiv të ekipit që synon titullin kampion.

Top Channel