Rimbursimi i TVSH-së, Ahmetaj: Përfitojnë fermerët e regjistruar

20/05/2018 15:16

Ministri i financave Arben Ahmetaj deklaroi se vitin e kaluar fermerët e pajisur me NIPT përfituan 22 milionë dollarë nga rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar.

Gjatë një takimi në qarkun e fierit, kreu i financave i ka bërë thirrje fermerëve që të regjistrohen për të përfituar para nga buxheti.

“Sepse ju sot, nëse keni NIPT-in, keni mundësi të rimbursoheni me 20 % të vlerës së faturës së bërë te grumbulluesi. Vetëm vitin e kaluar kemi rimbursuar plot 22 milionë dollarë”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, pajisja me NIPT u mundëson fermerëve që përveç rimbursimit të TVSH-së të përfitojnë edhe nga fondet falas të bashkimit europian

“Shumë shpejt fillon edhe projekti i Bashkimit Europian që shkon deri në 93 milionë euro dhe pikërisht kjo është zona që ka mundësi të përfitojë më shumë”, tha Ahmetaj.

Në Shqipëri numërohen mbi 330 mijë fermerë, por vetëm një përqindje fare e vogël e tyre kanë përfituar para nga skemat mbështetëse të buxhetit.

Top Channel