Kina ul për herë të parë bombardues në ishujt e diskutueshëm

19/05/2018 13:55

Për herë të parë, Kina ka ulur avionë bombardues në territoret e diskutueshme në detin e Kinës së Jugut, duke nxitur paralajmërime të reja nga amerikanët se po destabilizon rajonin.

Një avion bombardues “H-6K” me rreze të gjatë veprimi ishte mes atyre që morën pjesë në stërvitjen ushtarake në ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë, për të përmirësuar aftësitë e Kinës “për mbulimin e të gjithë territorit”.

Deti i Kinës Jugore, një nga rrugët kyç tregtare, është bërë subjekt pretendimesh nga 6 vende. Kina është akuzuar se po e militarizon zonën në fjalë në mbështetje të pretendimeve të saj për zgjerim.

Por, lëvizja e fundit mund të provokojë tensione të reja në rajon. Ministria kineze e Mbrojtjes nuk ka specifikuar se ku janë ulur avionët bombardues, por njoftoi se stërvitja përfshinte simulimin e goditjeve kundër objektivave detarë.

Një pilot i “H-6K”, Ge Daqing është cituar të ketë thënë në një deklaratë se, stërvitja “përforcon guximin tonë dhe rrit kapacitetet tona në një luftë reale hipotetike”.

Ekspertët nga Nisma për Transparencën Detare në Azi (AMTI) thanë se videoja e publikuar nga gazeta e përditshme e Partisë Komuniste kineze tregonte një “H-6K” të ulej e më pas të ngrihej në fluturim nga një bazë në “Woody Island”, më i madhi i ishujve “Paracel”.

“Woody Island”, të cilin Kina e quan me emrin “Yongxing”, pretendohet edhe nga Vietnami dhe Taivani.

E megjithëse Kina ka dërguar edhe më herët avionë luftarakë në “Woody Island” në të shkuarën, kjo është hera e parë që bombarduesit e saj ulen në ishullin e detit të Kinës Jugore, thekson AMTI. Nisma në fjalë shton më tej se një avion “H-6K” mund të mbulojë të gjithë perimetrin e detit të Kinës Lindore nga ky ishull.

Analistët i frikësohen tashmë faktit se bombarduesit do të mund të ulen së shpejti edhe në ishujt “Spratly”, më në jug të zonës së diskutueshme, ku një infrastrukturë e ngjashme në dispozicion të tyre është ndërtuar mbi shkëmbinj nënujorë. Nga ky destinacion, një “H-6K” ka nën rrezen e tij të veprimit veriun e Australisë, apo edhe bazën amerikane në Guam, thotë më tej AMTI.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar për lundrim luftanije në ishujt artificialë të krijuar nga Pekini në detin e Kinës Jugore, për të sfiduar atë që Uashingtoni e konsideron si përpjekje kineze për të kufizuar liritë e lundrimit në një zonë tejet të rëndësishme strategjike.

Një zëdhënës i Pentagonit tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se Shtetet e Bashkuara “mbeten të angazhuara për lundrim të lirë dhe pa pengesa në zonën indo-paqësore”.

“I kemi parë shpesh të tilla raportime dhe militarizimi i vazhdueshëm i Kinës në rajone të diskutueshme të detit të Kinës Jugore shërben vetëm për të shtuar tensionet e për të destabilizuar rajonin”, tha nënkoloneli Christopher Logan.

Top Channel