“Ditënetët e librit”, festivali me 40 botues nga Shqipëria dhe Kosova

19/05/2018 15:16

Një festival libri, jo vetëm një pikëtakim në formën e panairit, ku takohen përmes librave autorët e lexuesit, por një festival i vërtetë me aktivitete gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje vonë.

Ndaj organizatorët e kanë pagëzuar nismën që për herë të parë po mbahet në Muzeun Historik Kombëtar me emrin ‘Ditënetët e librit’.

“Mbajtja e këtij festivali është shndërruar në një festë të vërtetë, jo thjesht për kontakte me librin, por edhe për prezantime autorësh, librash, ceremoni të ndryshme kulturore, gjë që i ka dhënë një përmasë të veçante kësaj veprimtarie. Tirana ka nevojë për veprimtari të tilla dhe mendoj se 2 ngjarje për librin në vit janë pak. Unë shpresoj që kjo ngjarje kaq e bukur të shërbejë si pikënisje për vijimësinë në të ardhmen”, tha botuesi Rexhep Hida.

Janë 40 botues nga Shqipëria e Kosova, të cilët kanë përqafuar këtë iniciativë të re.

“Isha pak skeptike para se të vija, mirëpo më befasoi për të mirë organizimi. Çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje ka aktivitete të ndryshme”, tha Sabahete Qafederbasha, botuese.

“Padyshim që në këtë Shqipëri hallemadhe të bëhet një Festival i Librit do të thotë jo vetëm të zbatohet dëshira e të madhit Dritëro Agolli, por edhe një amanet i Faik Konicës që thotë “Ardhtë e bardhë dita kur shqiptarët të lexojnë libra!”, tha poeti Agim Doçi.

Top Channel