“Xhafaj”, deputeti gjerman Frei: Askush nuk mund të dënohet për shkak të vëllait

18/05/2018 13:30

Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin e punës CDU-CSU në Bundestagun gjerman, që merret me Ballkanin Perëndimor, thotë se Shqipëria paraqet interes të veçantë.

Në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, ai preku çështjen më të nxehtë të momentit në vend, atë të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Është e qartë, – tha Frei, – se njerëzit nuk mund të dënohen për faj të një anëtari të familjes, por çdo individ duhet parë më vete”.

“Ndaj dhe sjellja e ministrit të Brendshëm duhet vëzhguar dhe nuk mund të them asgjë”, shprehet ai, duke shtuar se rasti po ndiqet me vëmendje.

“Zhvillimi i vendit në vite është i pamohueshëm – shprehet Frei. – Megjithatë, krahas sukseseve kemi edhe disa çështje problematike. Kryesorja mbetet vettingu. Unë vet jam marrë intensivisht me këtë proces dhe kam folur edhe me anëtarë të komisionit kur isha në Shqipëri, në fillim të vitit”, i tha ai “Deutsche Welle”-s.

“Fakt është se kemi afro 800 gjykatës dhe prokurorë, ndërsa deri tani janë përmbyllur vetëm 5 rivlerësime. Natyrisht që e di se ka disa që i janë shmangur vettingut, duke dhënë dorëheqjen, por ne, prapësëprapë jemi në fillim të këtij procesi dhe nuk mund të japim një gjykim përfundimtar për të”.

“Ka edhe çështje të tjera, me të cilat nuk kemi filluar ende, si për shembull reforma zgjedhore, një detyrë e vjetër, të cilën Komisioni Europian e ka ngritur si problem që herët”.

I pyetur nëse shikon ndonjë rrezik që vettingu të përdoret edhe si mjet presioni ndaj gjykatësve, Frei përgjigjet se, para ligjit duhet të trajtohen të gjithë njësoj. Ai solli si shembull rastin e Saimir Tahirit, ku mazhoranca në Parlament në fillim e refuzoi heqjen e plotë të imunitetit.

“Ministrat dhe deputetët, – ishte komenti i ligjvënësit gjerman, – nuk duhen trajtuar ndryshe nga shtetasit e tjerë”.

Top Channel