“Messi i ri” rrëfen makthin: Kisha kriza ankthi, nuk më ndihmoi njeri

18/05/2018 19:07

“Kisha kriza ankthi përpara se të luaja, por nuk thonte njeri gjë. Botës së futbollit nuk i interesojnë këto gjëra”.

Bojan Krkic ka rrëfyer për “The Guardian” problemet që ka pasur përgjatë karrierës së tij, që pritej të ishte fantastike, pasi talenti i Barcelonës quhej edhe “Messi i ri”, por që nuk u ngjit kurrë aty ku duhej.

Futbollisti, i cili aktualisht luan për Alaves, shpjegoi se problemi i tij është ankthi.

“Nuk mora pjesë në Europian nga kjo gjë. Që nga viti 2008 karriera ime mori për keq, por njerëzit nuk e dinin se çfarë po më ndodhte. Ata thonin se nuk doja të luaja për Spanjën. Federata e dinte problemin tim, por sërish më grumbulloi, duke më lënë të vetëm përballë opinionit publik”, deklaron shënuesi i 900 golave me skuadrat zinxhir të Barçës.

Krkic ka luajtur me Romën, Milanin, Ajaksin, Stokun, Mainzin dhe Alaves. Sot, në moshën 28-vjeçare, më në fund sulmuesi spanjoll tregoi se kush është pengesa që nuk e ka lejuar të shkëlqejë në futboll.

“Ka forca që nuk i kontrollon dot më, opinione që nuk i heq dot nga mendja, xhelozira… Duhet t’i përballosh, por nuk është e thjeshtë. Isha 17 vjeç kur më ndryshoi jeta. Shkova në Botërorin U17, më pas debutova kundër Osasunës, debutova në Champions, shënova kundër Villarreal dhe në shkurt 2008 u grumbullova në kombëtare. Isha mësuar të ecja në rrugë pa më njohur njeri dhe nuk mund ta bëja më këtë gjë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, tha Bojan për “The Guardian”.

Top Channel