Masakra në Teksas, identifikohet autori 17-vjeçar. Viktimat, 9 nxënës dhe një mësues

18/05/2018 20:35

Plot 10 persona humbën jetën si pasojë e një sulmi të armatosur ndaj një shkolle të mesme në Teksas, masakra e radhës në klasat amerikane.

Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme “Santa Fe” në qytetin me të njëjtin emër, ku një person i armatosur hyri në ndërtesë dhe hapi zjarr ndaj nxënësve. Mësohet se, pas një shkëmbimi të shkurtër zjarri me policinë, agresori u prangos. Ky i fundit u identifikua nga policia si 17-vjeçari Dimitrios Pagourtzis, nxënës i shkollës, i cili në një foto shfaqet ironikisht me shenjën e paqes në kapelë.

Zyra e sherifit të zonës konfirmoi numrin e viktimave dhe tha gjithashtu se i plagosur nga mbetur një oficer policie. Presidenti amerikan Donald Trump shprehur ngushëllimet e tij për viktimat në fillim të një konference që përkoi me masakrën.

“Fatkeqësisht më duhet ta nis duke shprehur trishtrimin dhe dhimbjen tonë për masakrën në shkollën e mesme ‘Santa Fe’ në Teksas, që ndodhi para pak çastesh. Kjo po ndodh prej shumë kohësh në vendin tonë, prej shumë vitesh dhe dekadash. U shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen tonë të gjithë atyre që janë prekur nga ky sulm i tmerrshëm: studentëve, prindërve, mësuesve dhe personelit në shkollë. Administrata ime është e vendosur të bëjë gjithçka në fuqitë e saj për të mbrojtur studentët tanë, për të siguruar shkollat dhe për t’i mbajtur armët larg duarve të atyre që përbëjnë kërcënim për veten dhe të tjerët. Kjo është një ditë shumë e trishtë”, tha Trump.

Mësohet se 9 prej viktimave janë nxënës dhe njëri mësues. Autoritetet thanë se në shkollë dhe jashtë saj kanë gjetur edhe pajisje shpërthyese dhe paralajmëruan civilët që të mos prekin asgjë që i duket e dyshimtë.

Nuk ka dyshim që masakra e radhës do të ashpërsojë edhe më shumë debatin e zjarrtë për armët në SHBA, dhe jo pa të drejtë. Për ta vënë në kontekst të situatës kombëtare, ky është sulmi i tretë gjatë 7 ditëve të fundit dhe i 22-ti në shkollat amerikane që prej fillimit të vitit në SHBA.

Top Channel