Thelbin e Samitit të Sofjes, Johannes Hahn e përmblodhi në një fjali të thjeshtë: Anëtarësim, po të bëhen detyrat!

Komisioneri i Zgjerimit nuk përmendi këtë herë afate kohore, por përpiqet të shpjegojë se, perspektiva europiane që iu ofrua vendeve të Ballkanit Perëndimor në takimin e tij të parë me BE-në në 15 vite sjell investime konkrete në infrastrukturë.

“Ne po punojmë për një Zonë Rajonale të Tregtisë së Lirë, që do t’iu mundësojë vendeve të rajonit të kenë marrëdhënie më të mira tregtare me njëra-tjetrën”, sqaroi ai për “Deutsche Ëelle”.

Synimi është të rritet rendimenti ekonomik i të gjithë kandidatëve, në mënyrë që të bëhen më solide, më rezistente dhe më të afta për konkurrencë në Europë. Ajo që ra në sy në takimin e Sofjes ishte fakti që viti 2025, i përmendur si datë e mundshme anëtarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi, nëse do të ecin të gjitha sipas planit, këtë radhë u anashkalua krejtësisht.

Zyrtari i lartë europian arsyeton se viti në fjalë shërbente si një lloj “date orientuese”.

“Vendimet do të merren vetëm në takimin tonë të radhës të Bashkimit Europian në fund të qershorit”, thotë ai. “Këtu bëhet fjalë vërtet për një datë të përkohshme, e cila duhet të tregojë seriozitetin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit”.

“Ne ndihemi të lidhur me detyrimet tona”, thekson Hahn, si për të treguar se blloku nuk do ta tërheqë fjalën e dhënë, por tani varet nga shtetet e Ballkanit që të arrijnë përparime.

Top Channel