Erdogan: Bota arabe të mbështesë palestinezët në Gaza

18/05/2018 19:31

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i bëri thirrje këtë të premte botës arabe të mbështesin palestinezët kundër asaj që ai e quajti mizori e Izraelit në Rripin e Gazës, e njëkohësisht fshikulloi Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për vdekjen e dhjetëra protestuesve të pak ditëve më parë.

Shefi i Ankarasë ka qenë një zë kritik i vendimit të Uashingtonit për zhvendosjen e Ambasadës amerikane në Izrael, nga Tel Avivi në Jeruzalem, por edhe dhunës që shoqëroi ditën e përurimit të saj.

Turqia deklaroi 3 ditë zie pasi forcat izraelite të sigurisë vranë rreth 60 protestues palestinezë gjatë së hënës.

Duke iu adresuar mijëra mbështetësve të tij, që mbanin në duar flamuj turk e palestinezë në periferinë “Yenikapi” të Stambollit, Erdogan bëri thirrje për solidaritet mes myslimanëve dhe tha se Kombet e Bashkuara e kanë humbur legjitimitetin, pasi kanë dështuar të dalin kundër Uashingtonit.

“Nëse bota myslimane qëndron heroikisht kundër mizorive në Gaza, mendjelehtësia izraelite nuk do të zgjasë”, tha ai. “Kombet e Bashkuara, të cilat kanë dështuar të ndërmarrin hapa efektive kundër Shteteve të Bashkuara, kanë marrë një tjetër goditje për legjitimitetin edhe kështu të dobësuar”.

Erdogan ka thirrur një mbledhje emergjente të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik (OIC), prej 57 anëtarësh, që pritet të nisë të premten vonë në Stamboll.

Një populist me rrënjë në islamin politik, Erdogan i ka përshkruar së fundi veprimet e forcave izraelite si një “gjenocid” dhe e ka quajtur Izraelin një “shtet terrorist”.

Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah i tha turmës se bota duhet të veprojë. “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë menjëherë në mbrojtje të popullit tonë, e ta bëjë përgjegjës Izraelin për veprimet e tij”, tha ai.

Dhuna në Rripin e Gazës shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit, diplomatët e të cilëve janë dëbuar nga vendet respektive gjatë kësaj jave.

Situata e palestinezëve ka ndikuar mes shumë turqve, veçanërisht atyre nacionalistë dhe besimtarë, të cilët përbëjnë edhe bazën e mbështetjes për Erdoganin, i cili garon për t’u rizgjedhur president muajin e ardhshëm.

Top Channel