Renato Sanches do të rikthehet te Bajerni i Mynihut për të patur mundësinë e dytë që të shkëlqejë te kampionët e Gjermanisë. me një trajner të ri në stol, formacioni bavarez ka preferuar që të rimarrë një aset të rëndësishëm të klubit dhe të rikthejë portugezin nga huazimi.

Shefi ekzekutiv i Bajernit Karl-Heinz Rummenigge dha lajmin e mirë për talentin luzitan që këtë javë u la jashtë listës së kombëtares portugeze për botërorin rus.

Dy vjet më parë në Euro 2016, Renato Sanches u shpall lojtari i ri më i mirë i turneut dhe pas një sezoni debutues me gjermanët, u huazua te Suonsi në kampionatin anglez, skuadër që ra nga elita.

“Renato Sances do të rikthehet te ne dhe trajneri Niko Kovac do të synojë ta rikthejë në formën e mëparshme, është detyrë e vështirë por argëtuese” tha zyrtari i Bajernit. Huazimi i këtij sezoni për lojtarin portugez nuk shkoi mirë në Premier Lig. Pas 11 ndeshjesh si titullar te skuadra uellsiane, trajneri Klement e la në hije talentin, ndërsa dëmtimi në muskuj e la jashtë për 3 muaj.

Top Channel