Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë takuar të mërkurën në Sofje në praninë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “të dy udhëheqësit konfirmuan gatishmërinë e tyre për të punuar intensivisht me shefen e politikës së jashtme për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, një element vendimtar për transformimin e gjithë rajonit. Marrë parasysh përparësinë që Bashkimi Evropian u jep marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, posaçërisht këtë vit, është me rëndësi që të arrihet përparim në mënyrë që Serbia dhe Kosova mund të çojnë përpara aspiratat evropiane”, thuhet në njoftim.

Presidenti Thaçi tha se “u pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë. Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe medieve në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB. Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje”, shkroi presidenti Thaçi në rrjetin social facebook.

Edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “ka shkëmbyer disa fjalë kurtuazie”, me presidentin e Kosovës, ndërsa zonjës Mogherini i ka thënë se Serbia është gjithnjë e gatshme të vazhdojë bisedimet me Kosovën, nëse kjo nënkupton gatishmëri të palës tjetër për kompromis.

Top Channel