Burokracitë, jetimët e Shkodrës nuk futen në godinën e re prej dy vitesh

17/05/2018 20:17

Jetimët e qytetit të Shkodrës, të cilët kanë kaluar moshën 18 vjeç, jetojnë në kushte skandaloze. Prej më shumë se 20 vitesh, ata janë strehuar në katin e parë të konviktit të Shkollës Industriale “Arben Broci”.

Të rrethuar mes lagështisë e mungesës totale të higjienës, sidomos në tualete ku mungojnë lavamanët, dushi, dyer e dritare, ata kërkojnë ndihmë.

Por, ajo që është absurde është fakti se, edhe pse shteti ka investuar për ta, duke bërë një godinë qw ka kushtuar rreth 24 milionw lekë, ata sërish vazhdojnë të vuajnë mjerisht.

“Jetoj këtu prej 30 vitesh dhe kushtet janë skandaloze. Shiheni, lagështi kudo. Tualetet janë për turp. Mungojnë lavamanët, dushi, dritaret dhe dyert”, u shpreh një jetime, e cila jeton vet i katërt në një dhomë.

Ndërsa një tjetër shprehet se, edhe pse kanë marrë shumë premtime nga Bashkia e Shkodrës, sërish situata ka vite që vazhdon të jetë e njëjtë.

“Na premtuan se do tw na çonin te konviktet e Shkollës Pyjore, na thanë se ato janë bërë godina që të jetojmë ne, por asgjë”, tha qytetarja e zhgënjyer.

Pas investigimit të zhvilluar nga “Fiks Fare” rezultoi se, edhe pse investimi për t’i rregulluar jetimët ka përfunduar, godina mbahet pezull prej dy vitesh dhe ata ende nuk janë futur brenda saj.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, më 7 mars tw vitit 2016, Ministria e Zhvillimit Urban bëri një marrëveshje me Bashkinë e Shkodrës, sipas të cilës kjo Ministri rikonstruktoi godinën e konviktit të Shkollës Pyjore në Shkodër, e ngarkoi Bashkinë sipas marrëveshjes, që pas këtij rikonstruksioni të përfunduar në dhjetor të vitit 2016, godina të kthehej në banesa sociale ku do të strehoheshin jetimët.

Investimi i Ministrisë shkoi nw gati 24 milionw lekë. Por kanë kaluar dy vite dhe ende nuk janë futur jetimët në godinën që iu takon atyre.

Dy kanë qenë problemet që kanë mbajtur pezull këtë nismë. Sistemi i pikëzimit ku janë futur edhe jetimët nuk është votuar në Këshillin Bashkiak. Ndërsa në anën tjetër, Prefekti i Qarkut i ka kërkuar Bashkisë të transferojë destinacionin e godinës, nga “arsimore” në “banesë sociale”, nëpërmjet Ministrisë përkatëse dhe Këshillit të Ministrave, kërkese kjo ë bërë më 14 prill tw vitit 2017.

“Fiks Fare” iu drejtua kryetarit të Këshillit Bashkiak, si dhe kryetares së Bashkisë Shkodër.

Xhemal Bushati, kreu i Këshillit Bashkiak tha se janë në pritje të propozimit të një komisioni nga ana e Bashkisë dhe më pas garantoi votimin e tij.

“Ne jemi mbledhur dhe kemi marrë dy vendime, i pari në datën 30 mars 2017, ku kemi vendosur të transferohet destinacioni i kësaj godine nga arsimore në banesw sociale. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar kryebashkiakja, Voltana Ademi. Edhe pse ka pasur debate në Këshill për sistemin e pikëzimit, ku futen edhe jetimët, Këshilli nuk ka votuar. Në atë kohë, komisionit i përfundoi mandati, pasi në Parlament shqyrtoheshin ndryshime në ligjin për shtresat në nevojë. Por, ne jemi të gatshëm të mblidhemi dhe të votojmë pro, sapo Bashkia të na propozojë komisionin dhe ky i fundit të na sjellw për votim draftin”, deklaroi Bushati.

Kryetaria e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi u shpreh për “Fiks Fare” se, vullneti i Bashkisë është që jetimët të sistemohen në këtë godinë. Por, ajo shtoi se duhet të ketë edhe vullnet politik që t’i hapë rrugën Bashkisë për ta përfunduar këtë nismë.

“Kjo ishte një nismw e Bashkisë së Shkodrës, është një çështje që ka mbi 20 vite që nuk është zgjidhur. Ne propozuam të rikonstruktohej kjo godinë për të ndërtuar apartamente për këtë kategori shoqërore. Ne, me ndryshimet ligjore do të vazhdojmë procedurën dhe kjo është më se e qartë. Ndërkohë, lidhur me shkresën që Prefektura ka dërguar, unë kam shkresat që ne i kemi dërguar jo vetëm Ministrisë së Financave, por edhe Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme. E së fundmi i jam drejtuar edhe Këshillit të Ministrave. Nga Ministria e Financave ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Projekti ka përfunduar, unë e prek dhe shpresoj që vullneti politik të jetë në mbështetje të Bashkisë, që ne të vazhdojmë procedurat, pra të fusim jetimët në këtë godinë”, tha Ademi.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel