Sulmet terroriste në Indonezi, tashmë edhe me shpata

16/05/2018 17:47

Sulmet terroriste në Indonezi vijojnë me intensitet dhe duket se po shfrytëzohet çdo mjet për të ngjallur frikë dhe terror në vend.

Në episodin më të fundit të dhunës, 4 persona të armatosur me shpata samurai sulmuan një rajon policor në qytetin Pekanbaru, në provicën Riau.

Sulmi zgjati fare pak dhe 4 agresorët u vranë nga policia, megjithëse ata arritën që të lëndonin për vdekje një agjent.

Sulmi, ashtu si të tjerët e ditëve të fundit, u mor përsipër nga Shteti Islamik. Indonezia është shteti me popullsinë më të madhe myslimane në botë, e që prej sulmeve me bomba në Bali në vitin 2002 është përgëzuar për operacionet e vazhdueshme antiterror.

Kombinimi i arrestimeve, vrasjeve dhe politikave kundër radikalizmit solli mjaft sukses, por tashmë autoritetet po përballen me një kërcënim të ri, kryesisht nga luftëtarët e Shtetit Islamik, që janë kthyer nga lufta në Siri.

Në 4 ditët e fundit, një seri sulmesh vdekjeprurëse janë regjistuar në vend, ku edhe familje të tëra kamikazësh sulmuan rajonet e policisë dhe kishat.

Top Channel