Shtyhet gjyqi për deklaratat e Ramës, Prokuroria nuk paraqitet në seancë

16/05/2018 14:03

Në Gjykatën e Beratit është shtyrë çështja për kërkesën e LSI-së për rihapje të hetimit për deklaratat në fushatë të kryeministrit Rama, për pjesëmarrjen e policisë në zgjedhje.

“Nuk pati kohë prokuroria e Përgjithshme se ky njoftim nuk ka ardhur dje? Njoftimi nga gjykata nga ana juaj ka qenë shumë korrekt brenda të gjitha afateve e mundshme për pjesëmarrësit për gjykim që të kishim sot të gjithë informacionin e nevojshëm për të debatuar për çështjen, kështu që kërkesa për shtyrje mua më duket aspak serioze, e pa mbështetur në asnjë dispozitë të kodit të procedurës penale. Dhe mbi të gjitha po flasim për një institucion me një hierarki të qartë. Prokuroria e Përgjithshme duhet ta kishte informuar sot Prokurorinë e Beratit për këtë çështje. Sepse ka pasur kohë të informojë dhe gjykatën. Nuk është normale kjo, unë jam për të mos e pranuar këtë dëgjesë. Ne sot nuk po diskutojmë për meritën e çështjes, ne po diskutojmë a po hetohet apo jo. Është një debat procedural që bëhet sipas ligjit procedural kështu që do ju lutesha shumë mos ta pranoni këtë kërkesë ta vazhdojmë këtë gjykim, e përsëris procedural në lidhje me këtë çështje”, është shprehur në gjyq përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani.

Por gjykata dha vendimin për shtyrje të seancës, pas së cilës Manjani tha se Prokuroria nuk ka marrë masa për të mbrojtur punën e vetë që nuk e ka bërë.

“Për një deklaratë absurde. Për një deklaratë që një njeri normal nuk do ta bënte, por një njeri anormal do ta bënte. Aq më tepër një kryeministër që po jua them sot ka shkelur të paktën katër ligje dhe të paktën dhjetë nene, përfshirë dhe Kushtetutën dhe një vendim qeverie të vetin. E ka shkelur ai se nuk pyet për ligje e kupton. Dhe këtë po themi, të hetohet, të thirret si njeri dhe nëse ka ndërmend të kërkojë ndjesë ta kërkojë në një sallë gjyqi jo kështu me internetëra dhe me histori që nuk kanë asnjë kuptim. Dhe kjo ka qenë, ky do jetë edhe objekti i këtij gjykimi. Kjo do jetë edhe ditën e hënë, këtë do themi prapë se nuk do jetë ndonjë gjë tjetër. Pra po kërkojmë të hetohet, dhe Prokuroria e Përgjithshme duhet të ishte sot këtu që të mbronte punën e vet. Prokuroria se ka parë të arsyeshme, e kanë hedhur nga një shok te një tjetër”, ka thënë ai.

Top Channel