Prodhim pijesh e ushqimi ilegal e në kushte skandaloze, kompania përfundon në gjykatë

16/05/2018 18:19

Sektori i krimit ekonomiko-financiar në Prokurorinë e Shkodrës ka dërguar për gjykim dosjen ndaj një kompanie lokale, që akuzohet për falsifikim të ushqimeve dhe prodhim të tyre në kushte të papërshtatshme higjienike.

Hetimet ndaj kompanisë Briland Sh.p.k nisën disa muaj më parë dhe prokuroria thotë se gjatë punës ka gjetur një sërë shkelje si për kushtet higjeno-sanitare, ku ushtronte aktivitetin e saj kjo kompani, ashtu edhe për falsifikimin e produkteve duke u vënë marka të njohura që më pas shiteshin në treg si origjinale.

Për këtë shkak, pronari i kësaj kompanie prokuroria akuzon administratorin Xhavit Kasmi, punonjësit Syrri Çaku, Fatjon Bushati dhe Sami Haxhija, si dhe vetë kompaninë si subjekt juridik.

Para gjykatës do të përfundojnë edhe punonjës të Autoritetit Rajonal të Ushqimit në Shkodër, Abdyl Bajraktari, Edmond Fortuzi dhe Elvis Raboshta, të cilët prokuroria i akuzon për shpërdorim detyre pasi në kundërshtim me ligjin dhe pasi kanë inspektuar disa herë ambientet e kompanisë i kanë cilësuar ato si të përshtatshme për prodhimin e produkteve ushqimore.

Top Channel