Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta: Luftë narkotrafikut e krimit të organizuar

16/05/2018 19:27

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka pasur për çështje kryesore diskutimi gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së vendit për vitin 2018, për të cilat ka informuar kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve; luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; për emergjencat civile; sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale; si dhe mbrojtjen kibernetike kanë raportuar anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe forcimin e kontrollit të kufijve, e më tej ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës, pa kompromis, kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Sipas Metës, raportet e DASH-it, BE-së dhe agjencive partnere të specializuara këto çështje të rëndësishme janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe anëtarësimin në BE.

Top Channel