FOTO/Piramida, programet inovative që do mësojnë të rinjtë

16/05/2018 14:33

Piramida e Tiranës do të jetë një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu ky projekt synon të krijojë Simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi gjatë prezantimit se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga vetitë nostalgjike të kësaj godine siç është rrëshqitja në muret e saj, por do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

“Për ata që e admirojnë vendin qoftë edhe për atë rrëshqitjen edhe ajo do bëhet më e mirë. Duke qenë se do kemi një përdorim të kësaj që sot është vetëm një zhguall si nga lart për pjesët soditëse, për pjesët turistike, për pjesët e vizitorëve, si për ata që duan të kenë një hapësirë panoramike të Tiranës, por sigurisht edhe për faktin që jemi në zemër të Tiranës. Dhe për njerëz që do shkojnë të bëjnë kursin e kompjuterit ngjitur me zyrën e kryeministrit unë nuk besoj se do kishte një adresë më tunduese për të shkuar dhe mësuar teknologjinë e informacionit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se krahas projektit të rikonstruksionit të kësaj godine, ajo që do të marrë një rëndësi të madhe është edhe zbatimi i modelit TUMO, një nga projektet që do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha te zhvillimit të teknologjikë krijuese jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që sot janë Tirana dhe Parisi, dy stacionet e reja të TUMO-s dhe besoj që tani jemi në garë me kolegët tanë në Paris që kush përgatit më shpejt terrenin për të filluar me këtë situatë. Në një farë mënyrë është pallati i pionerëve për teknologjinë e informacionit, ku të gjitha këto teknologji të 15 viteve të ardhshme do kemi mundësi ti përdorim. Besoj se edhe në Tiranë do na duhen shumë prej këtyre teknologjive. Më vjen mirë që edhe në Tiranë ne kemi uri për dije që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Programet që do të ofrohen nga TUMO janë:

– Animacion

– Zhvillimi i Lojërave

– kinematografia

– Ëeb Design

– Muzikë

– Shkrim

– Vizatim

– Dizajn Grafik

– Modelimi 3D

– Programim

– Robotikë

– Grafika e lëvizjes

– Fotografi

– Media e re

FOTO GALERI
1/12

Top Channel