Ish-komunat pa shërbime; Banorët e Rrushkullit: Bashkia e Durrësit na ka harruar

15/05/2018 19:50

Reforma administrativo-territoriale i ka lënë banorët e ish-bashkive dhe komunave të Durrësit të pakënaqur. Ankesat e tyre për shërbime të munguara bien në vesh të shurdhër. Distanca me qytetin u ka cenuar dhe të drejtën për t’u ankuar. Në fshatin Rrushkull të ish bashkisë Sukth, banorët ndihen të harruar nga bashkia e madhe e Durrësit.

“Mbeturinat mblidhen njëherë në 10-15 ditë. Rruga është katastrofë. Ankohu sa të duash. Bashkia nuk funksionon fare te ne. Dako nuk do t’ia dijë a ka Rrushkull a jo. Minibashkia nuk duket fare. Vetëm kur ka votime. Kanalet i kemi pastruar vetë. Nga Kthesa e Ariut e deri poshtë në Rrushkull është skandal”, shprehet një banor i Rrushkullit.

Edhe pse operatori privat ka synuar disiplinimin e shërbimit të pastrimit duke vendosur kosha mbeturinash përgjatë rrugëve kryesore të fshatrave, banorët shprehen se ato janë të pamjaftueshme.

“Një kosh për 100 familje nuk mjafton. Të paktën t’i mbledhin një ditë po, një ditë jo. Mblidhen për një javë. Na shqetëson kjo, po vijnë e i marrin brenda javës. Asnjë investim në rrugë e ujë. Këto i kemi problem”, shprehen banorët e zonës.

Edhe pse deklarojnë se janë taksapagues të rregullt, banorët e zonave rurale të Durrësit ankohen për mungesën e investimeve dhe shërbimeve të pastrimit, ndriçimit dhe infrastrukturën rrugore, ndërsa e vetmja portë për të përcjellë shqetësimet e tyre mbetet media.

Top Channel