Çfarë mund ta shtyjë presidentin Donald Trump të festojë hapjen e ambasadës amerikane në Jerusalem në 70-vjetorin e përzënies së Palestinezëve nga shteti i ri Izraelit, të vitit 1948? Kompleksi i ri i ambasadës është ndërtuar rrugës për në Jeruzalemin Lindor, një zonë që Palestinezët do ta quanin kryeqytetin e tyre, në rast se krijohej një zgjidhje për lejimin e dy shteteve.

Ishte një shuplakë diplomatike në fytyrën e shumë palestinezëve. Sado që nuk e shfajëson dhunën, mbetet një provokim i qëllimshëm nga Uashingtoni. Kjo do të thotë që presidenti amerikan ka gjithashtu përgjegjësi për të vdekurit e të plagosurit e kësaj proteste.

Shkatërrimi i Marrëveshjes me Iranin

Çfarë mund ta shtyjë presidentin Donald Trump të shkatërrojë marrëveshjen me Iranin, me një firmë të vetme, pa u këshilluar me partnerët europianë e pa diskutuar një plan për të ardhmen? Trump tregoi se është gati të rrezikojë përshkallëzime të mëtejshme në Lindjen e Mesme e të dëmtojë 70 vite marrëdhëniesh të mira trans-atlantike midis Europës dhe SHBA-ve.

Çfarë e shtyn presidentin, që duket i vendosur të zhbëjë çdo arritje të paraardhësit të tij, pa pasur ndonjë plan për atë që do të bëhet pas shkatërrimit?

Donald Trump nuk ka provuar ndonjëherë tjetër të jetë politikan i zgjedhur me vota. Ai nuk ka krijuar shoqëri në këtë biznes, një biznes ku jepet dhe merret, ku bëhen kompromise të mundimshme, ku peshohen me shumë kujdes përfitimet kundër lëshimeve. Në rastin më të mirë të mundshëm, politikanët mendohen me kujdes për pasojat e veprimeve të tyre, edhe për ato që do të ndihen në të ardhmen e largët.

Mjafton të shohësh simbolet që ka zgjedhur të përfaqësojë me pushtetin e tij. Shkronjat e arta që shkruajnë emrin Trump në kullat që ka ndërtuar, tregojnë gjithçka: “Shikomëni, jam më i miri, mund të bëj ç’të dua.” Mund të ketë hyrë në presidencë duke tundur parullën “Amerika e Para”, por mesazhi i tij është “Donald Trump i Pari”.

Nuk ka “Plan B”

Kjo nuk është asgjë e re. Por ngjarjet e fundit kanë treguar se çfarë fuqie shkatërruese zotëron Trump. Ai nuk ka Plan B. Kur vepron, nuk mendon për pasojat, të cilat mund të ndihen katër ose tetë vite më vonë. Nuk mendon se si veprimet dhe sulmet e tij verbale mund të ndikojnë edhe vende të tjera, veç SHBA-ve.

Trump mburret me pushtetin që ka, sepse mundet – gjithnjë me qëllimin për të tërhequr sa më shumë vëmendje. Kjo arrihet lehtë kur mbjell shkatërrim.

Kjo është arsyeja që ka zgjedhur këtë ditë me një rëndësi të madhe historike për të rihapur ambasadën amerikane në Jerusalem. Kjo është arsyeja se pse e ka prishur marrëveshjen me Iranin, pa menduar fare se ç’do të ndodhë më pas.

Zgjohu, Europë!

Kjo duhet të jetë një zile zgjimi për Europën dhe për Gjermaninë. 70 vite pas Luftës së Dytë Botërore, ka ardhur koha që Europa të rritet. Kjo do të thotë që duhet të mbajë përgjegjësi për politikën e jashtme dhe për sigurinë botërore. Gjermania duhet ta marrë seriozisht këtë çështje e të investojë shumë për forcat e armatosura, edhe pse shumë gjermanë janë ndier më rehat në të shkuarën me një ushtri që nuk ka qenë e pajisur mirë as për mbrojtje.

LEXO EDHE: “Pse ngurron Gjermania t’u bashkohet aleatëve në sulme?”

Duke e parë çështjen përtej Brexit-it, Britania duhet ta sqarojë që tani planin e bashkëpunimit me Francën dhe Gjermaninë për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë. BE duhet të gjejë mënyra për t’i ndaluar krizat e brendshme e të ngrihet si një trup i fortë, me një ide të qartë për shoqërinë që kërkon të ndërtojë për qytetarët e vet.

Këto janë sfidat e mëdha, por një gjë është e qartë: asnjë vend nuk duhet të varet nga një shtet që qeveriset nga një person si Donald Trump. Provat për këtë janë jo më larg se ngjarjet që ndodhën tani në Rripin e Gazës.

Ines Pohl, kryeredaktore e Deutsche Welle

FOTO GALERI
2/24
Fëmijë palestinez i lënduar nga gazi.

Top Channel