Protesta të dhushme në mbështetje të Palestinës janë organizuar në kryeqytetin grek, Athinë.

Qindra palestinezë dhe anëtarë të grupimeve pro Palestinës, por edhe të shoqërisë civile, kanë protestuar gjatë orëve të pasdites së të martës jashtë Ambasadës amerikane në Athinë, e në vazhdim, turma i është drejtuar Ambasadës së Izraelit në lagjen “Psiqiko”, ku pasi ka djegur flamuj të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sulmuan me gurë ambasadën.

Policia ndërhyri me përdorimin e granatave shpërthyese, por edhe me shkopinj gome, për të shpërndarë turmën e dhunshme. Protestuesit mbajtën flamuj të Palestinës dhe hodhën parulla kundër Izraelit.

Situata u qetësua me ndërhyrjen e shoqatave në mbështetje të Palestinës dhe disa deputetëve të Partisë Komuniste. Policia ndaloi disa palestinezë, por në vazhdim ata u lanë të lirë, pa u ngritur akuza ndaj tyre.

E njëjta situatë u pa edhe në qytetin e Selanikut, ku protestues pro Palestinës dogjën flamuj të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara jashtë Konsullatës izraelite në Selanik.

Opinioni grek është një ndër mbështetësit më të flaktë të kauzës palestineze. Protesta të ngjashme priten edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Për të shmangur aktet e dhunës ndaj objektivave amerikane dhe izraelite, me urdhër të ministrit grek të Rendit janë shpallur objekte të rëndësisë së veçantë të gjitha godinat shtetërore të Izraelit, ndërsa masa shtesë janë marrë edhe për ambasadat, konsullatat, si dhe zyrat e kompanive amerikane në Greqi.

Top Channel