Izet Ajdini shkon për t’i bërë shërbime mekanike mjetit të tij që e përdor për transport udhëtarësh të paktën 2 herë në muaj. Ai përshkon përditë aksin Sarandë- Kalasë-Tatzat një prej rrugëve rurale më të rrënuara në të gjithë bashkinë e Delvinës.

“Që nga 1995 nuk ka pësuar asnjë lloj ndryshimi. Makina duhet dërguar në oficinë çdo 10 ditë. Paratë që marrim i lëmë në ofiçinë dhe barabartë dalim”, shprehet Izet Ajdini.

Në mjetin e tij që i përshkon 11 km rrugë të paasfaltuar deri në Kalasë për 1 orë nuk ka rregulla për numrin e vendeve. Të gjithë ata që ndesh në rrugë gjejnë një copëz vend në makinë. Banorët e Kalasës dhe Tatzatit shkojnë në Sarandë për të bëre blere mallra industriale, për të vizituar të afërmit dhe për shërbim mjekësor.

“Jemi shumë keq, nuk ka rrugë. Mua më bën 6 mijë lekë rruga. Dua dy ditë të marrë veten”, shprehet një banore.

“Rruga është shumë e keqe, është e pakalueshme. Janë dy fshatra që e përdorin”, thotë një tjetër banor.

Gjatë dimrit ky aks bëhet pothuajse i pakalueshëm. Dalja e lumit të Kalasës mbi shtratin e rrugës ka bërë që shpesh 15 km rrugë deri në Tatzat banorët ta përshkojnë në këmbë.

Çdo gjë kushton dy herë më shtrenjtë në këtë zonë ku jetojnë aktualisht rreth 800 banorë. Një pjesë e banesave janë të rrënuara për shkak të kostos së lartë të restaurimit ndërsa mungesa e rrugës po mban të izoluar dhe jashtë interesit të tregut turistik dhjetëra monumente kulture dhe ura mesjetare.

Top Channel