Reshje shiu e breshëri, rrugët e Selanikut shndërrohen në lumenj

11/05/2018 12:20

Një video amatore nga një telefon celular tregon çastin kur rrjedha e ujit rrëmben një grua për disa metra, te një prej hyrjeve të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, e përpjekjet e saj për shpëtim teksa kapet te një prej makinave të parkuara aty pranë.

Ky është vetëm një fragment i çasteve dramatike që përjetuan banorët e qytetit verior të Greqisë rreth orës 12:30 pas mesditës së të enjtes, kur një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me breshër dhe reshje shiu, ka shndëruar rrugët kryesore në qendër të Selanikut në lumenj të rrëmbyer.

Fenomeni i tejskajshëm ka goditur pjesën më të madhe të qytetit për rreth dy orë dhe sasia e ujit të shiut brenda kësaj kohe ka qenë rreth 200 mililitra në orë, ose e thënë ndryshe aq sa reshjet e rreth 3 muajve të vjeshtës.

Shërbimi zjarrfikës pranoi mbi 300 telefonata nga banesa dhe dyqane të përmbytura, kryesisht në zonën e qendrës, ku mbizotëroi kaosi nga automjetet e bllokuara, disa prej të cilave u braktisën nga drejtuesit.

Gjithashtu, ekipet e shpëtimit kanë mundur të nxjerrin nga vendet ku kishin mbetur të izoluara, disa gra në zonën e Neapolit, si dhe dhjetëra turistë dhe fëmijë nga Kulla e Bardhë, në pjesën e bregut të qytetit, pasi uji kishte bllokuar portën e hyrjes.

Fenomeni është shoqëruar edhe me ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë në shumë zona, si dhe të ujit të pijshëm, pasi janë vënë re defekte të reja në rrjetin e amortizuar të qytetit.

Top Channel