Parlamenti grek po shqyrton memorandumin e bashkëpunimit me Shqipërinë, që është shfrytëzuar si rast nga deputeti i ekstremit të djathtë, Ilias Kasidhiaris për të shpërthyer në një gjuhë raciste ndaj shqiptarëve.

Ai mori shkas nga rasti i këngëtares Eleni Foureira dhe fotos të publikuar në rrjetet sociale, ku ajo shfaqet me Eugent Bushpepën duke formuar me duar shqiponjën.

“A i shihni kush janë shqiptarët? E shihni në Eurovizion? Promovuam një këngëtare që nuk tha se ishte shqiptare. Këta këngëtarë, futbollistë e artistë shqiptarë, sapo bëjnë para në Greqi fillojnë të veshin bluzat e UÇK-së dhe bëjnë simbolet e Shqipërisë së Madhe. Lërini të shkojnë andej nga erdhën pa këpucë”, deklaroi ai.

I ashtuquajturi “Playboy” i Agimit të Artë, ekstremi i djathtë i politikës greke, Kasidhiaris kërkon që të mos hapen negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

“Deri kur gjuha antigreke e Qeverisë së Shqipërisë të ndalet. Agimi i Artë kërkon veton greke për të mos hapur negociatat me Shqipërinë”, shtoi deputeti grek.

Në shënjestrën e gjuhës së tij të urrejtes ishte edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Vetë ai shteti shqiptar të cilin Syriza kërkon të mbështesë sot nëpërmjet BE-së, është një shtet kriminel dhe trafikant droge. Vetë Edi Rama është ai i cili si një maestro drejton gjithë trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në gjithë vendet e Europës”, shtoi ai.

Deklaratat raciste të Kasidhiaris janë pasqyruar në një pjesë të madhe të mediave greke, ku shumica e të cilave e kanë dënuar gjuhën e përdorur prej deputetit të Agimit të Artë.

Top Channel