Maqedonia, “vatra” e re e marijuanës për qëllime mjekësore

10/05/2018 14:38

“Nëse prodhuesit e regjistruar tani vonë, të produkteve të marijuanës të përdorura për qëllime mjekësore, i vënë në jetë planet e tyre, fusha të tëra në Maqedoni, që mbulojnë një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë, do të mbushen shumë shpejt me bimë kanabisi”, thotë rrjeti investigativ “Birn”.

Vendi ynë fqinj e legalizoi këtë tip të marijuanës dy vite më parë, përmes amendimit të ligjit ekzistues mbi kontrollin e drogave opioide dhe substancave psikotropike, duke u bërë kështu një nga të vetmit në botë me të drejtën ligjore për të rritur dhe eksportuar kanabis mjekësor.

Sistemi është i ngjashëm me atë të modelit kanadez, që u lejon kompanive private rritjen e produkteve të kanabisit. Recetat që sugjerojnë mjekime të mbështetura te kanabisi duhet të lëshohen vetëm nga neurologët, radiologët, specialistët e sëmundjeve infektive dhe onkologët.

Gjashtë kompani maqedonase e kanë marrë deri tani lejen shtetërore për rritjen e bimëve në fjalë. Në këtë biznes janë përfshirë edhe të afërm të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, të cilët tani vonë u bënë thirrje edhe të tjerëve t’i bashkohen një tregtie të tillë potencialisht fitimprurëse, me argumentin se ajo mund t’i sjellë miliona euro ekonomisë së çalë të vendit.

Shitjet e marijuanës mjekësore nëpër botë e kapërcejnë nivelin e 7 miliardë eurove fitime në vit, shifër kjo që pritet të trefishohet gjatë 3 viteve të ardhshme.

Top Channel