Policët holandezë thonë se shumë prej viktimave nuk i raportojnë fare incidentet dhe se grupet e organizuara kanë dorë të lirë veprimi.

“Holanda po nis t’i ngjajë një narko-shteti, me policinë që nuk është në gjendje të luftojë një ekonomi paralele”, paralajmëron një raportim i shoqatës së policisë në Holandë.

Shifrat zyrtare tregojnë se krimi është në rënie, por policët thonë se shumë prej viktimave nuk po i raportojnë më incidentet, ndërkohë që krimi i organizuar ka dorë të lirë.

“Me kaq pak burime dhe personel sa ka policia holandeze tani, është në gjendje të godasë vetëm një në nëntë grupe të krimit të organizuar,” thotë raporti që ka dhënë policia holandeze për Der Telegraaf. “Hetuesit shohin se si kriminelët e vegjël rriten në biznesmenë të pasur dhe zgjerohen me investime në industrinë e hotelerisë, me pasuri të patundshme, biznese të mesme, agjenci udhëtimit, etj.”

Raporti nga Unioni Holandez, që bazohet në intervista të kryera me 400 hetues, shton: “Holanda përmbush shumë karakteristika të një narko-shteti. Hetuesit shohin zhvillimin e një ekonomie paralele”.

Ata që kritikojnë politikën e qeverisë holandeze për të toleruar shitjen e kanabisit nëpër kafene dhe për të ligjëruar prostitucionin, thonë se vendi është reklamuar pa dashur si rrjet për trafiqet njerëzore dhe të drogës.

Shumica e drogës “ecstasy” që konsumohet në Europë dhe në SHBA vjen nga laboratorët e hapur në jug të vendit, të cilat drejtohen nga grupe kriminele që merren me prodhimin e kanabisit. Gjysma e kokainës me vlerë 5.7 miliardë euro që shpërndahet në Europë futet nëpërmjet portit të Roterdamit, sipas Europol-it.

Shumica e drogës “exstasy” që shpërndahet nëpër Europë dhe SHBA prodhohet në laboratorë holandeze. Foto: Portokalis/Getty Images/iStockphoto

Shoqata e policisë holandeze shpreh nevojën për të shtuar numrin e stafit me 2000 efektivë, ndaj raporti për rritjen e krimit të organizuar do të shihet nga kritikët e tyre si përpjekje për të marrë më shumë fonde nga buxheti i shtetit.

Megjithatë, gjetjet e këtij raporti përputhen me një tjetër, të hartuar më herët nga prokuroria, të cilin ia kanë dërguar kabinetit qeveritar.

Ndonëse numri i krimeve të regjistruara ka rënë me 25% në nëntë vitet e fundit, në rreth 1 milion në total, raporti thotë se rreth 3.5 milionë krime nuk regjistrohen fare, si dhe ngre shqetësimin se autoritetet janë duke mbetur shumë prapa, në një disavantazh që është vështirë të kapërcehet.

Kryetari i bashkisë së Amsterdamit, policia lokale dhe kryeprokurori i kryeqytetit holandez kanë lajmëruar gjithashtu në deklarata publike se ka pasur rritje të krimit të organizuar, si dhe shndërrime të krimit në trajta më të padukshme, të fshehura nëpër lagjet e qytetit, shpesh jashtë syve dhe jashtë kontrollit të autoriteteve.

Drejtori i Policisë së Amsterdamit, Pieter Jaap Aalbersberg, tha se agjentët e tij kalojnë rreth 60% deri në 70% të kohës duke luftuar krime që vijnë si pasojë e goditjeve mafioze të krimit të organizuar.

“Ka të rinj që janë gati të kryejnë ekzekutime për 3,000 Euro,” thotë ai në një intervistë të kryer këtë muaj. “Në vitet ’80 e ’90 u duhej të pajtonin vrasës të huaj me pagesë që ta kryenin krimin në Holandë për 50,000 euro”, thotë Aalbersberg. “Vitet e fundit janë kryer nga djemtë e rinj të Amsterdamit.”

“Në vitet ’80 e ’90 u duhej të pajtonin vrasës të huaj me pagesë që ta kryenin krimin në Holandë për 50,000 euro. Sot ekzekutohen nga djemtë e Amsterdamit për 3000 euro”, thotë drejtori i Policisë së Amsterdamit, Pieter Jaap Aalbersberg.

Thuhet se ndërkohë që policia angazhohet fort me krimin e nivelit të lartë, shumë krime të tjera po shpëtojnë pa u vënë re.

Raporti i botuar nga shoqata e policisë paralajmëron se kriminelët që sulmojnë moshat e thyera ose kategori të tjera të pambrojtura, shpesh i shpëtojnë sistemit pa u ndëshkuar, ndaj vetëm 20% e krimeve të tilla raportohen në polici.

“Numri i krimeve kundër popullsisë më të pambrojtur është rritur për shkak të plakjes së përgjithshme të popullatës si dhe prej shkurtimeve në sektorin e përkujdesjes për moshën e thyer”, thotë raporti. “Sidomos vjedhjet, mashtrimet dhe dhuna kundër të moshuarve dhe njerëzve të pambrojtur është rritur në mënyrë alarmante, pa marrë vëmendjen e nevojshme.”

Ministri holandez për Drejtësi dhe Siguri, Ferd Grapperhaus, pranoi se e kishte marrë raportin e policisë që paralajmëronte për “mungesë të kapacitetit të nevojshëm për të luftuar krimin e organizuar”. Ai tha: “Është shenjë që tregon se duhet ta marrim më seriozisht këtë çështje. Qeveria e pranon që nevojiten më shumë investime për policinë.

“Prandaj, në vitet e ardhshme do ta shtojmë buxhetin e investimeve me rreth 267 milionë dollarë në vit. Kemi edhe një fond 100 milionësh për të luftuar krimin e organizuar.

“Megjithatë”, theksoi Ministri i Drejtësisë, “policia holandeze, bashkë me prokurorin e përgjithshëm, po arrijnë rezultate të pëlqyeshme kundër krimit të drogës. Prandaj, ‘narko-shtet’ nuk është termi që unë do të përdorja në këtë rast.”

Daniel Boffey, The Guardian

Top Channel