Serbia anulon ftesat për tre deputetë kosovarë, të cilët do të merrnin pjesë në konferencën me temën “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, e parashikuar për në datat 11 dhe 12 maj ne Beograd.

Vjosa Osmani, Blerta Deliu dhe Ilir Deda ishin ftuar nga kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak. Por, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviç anuloi ftesat duke paralajmëruar madje se “është e gatshme të largohet” nga posti nëse ndodh ndryshe.

Ndërsa njoftoi vendimin për anulimin e ftesave, deputeti Ilir Deda shkroi ne rrjetin social Facebook se “Në Ditën e Europës doli në pah fytyra anti-europiane e udhëheqjes serbe”. Veprime të tilla janë në kundërshtim me deklarimet për ‘normalizim’ të raporteve me Kosovën, dhe për ‘përkushtimin’ ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.

Deputetja, Vjosa Osmani, e cilësoi vendimin si tregues të qartë të vlerave anti evropiane të Serbisë.“Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një deklarate te Osmanit.

Kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak, u tha mediave serbe se ftesat janë anuluar pas kritikave të kriminelit të dënuar të luftës Vojislav Sheshel.

Top Channel