Ahmetaj zgjidhet zv/President i Bordit të Guvernatorëve të BERZH

09/05/2018 18:52

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj është zgjedhur zv/President i Bordit të Guvernatorëve të BERZH. Ahmetaj u zgjodh përmes procesit të votimit gjatë punimeve të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumit të Biznesit të BERZH në Jordani.

Takimi vjetor i BERZH pati në fokus investimet e Bankës në vendet ku operon dhe perspektiva e zgjerimit në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.

Ahmetaj mbështeti propozimin e Bordit të Guvernatorëve të BERZH për të eksploruar mundësitë e shtrirjes në vende të reja në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.

Ndër të tjera, ministri i Financave gjatë fjalës së tij vlerësoi rolin e BERZH në Shqipëri.

“Ekonomia shqiptare, është në vitin e katërt të përshpejtimit të rritjes në 3.8%. Përpjekjet për konsolidim fiskal dhe rritja ekonomike, kanë qenë faktorë përcaktues për krijimin e vendeve të punës dhe uljen e pabarazisë. Ekonomia shqiptare, papunësia tek të rinjtë, me e ulëta në rajon. Në vlerësojmë rolin e BERZH në Shqipëri në një sërë projektesh të rëndësishme në infrastrukturë, energji, klimën e biznesit dhe financimin në bujqësi. By pass-et e Fierit dhe Vlorës dhe hekurudha Tiranë-Durrës me mbështetjen e BERZH, investime tejet të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës”, u shpreh ai.

Top Channel