Sa herë që përmendet fjala “Alienë” në mendjet tona riprodhohen imazhet hollivudiane të një disku fluturues dhe një teknologjie të prodhuar nga qënie shumë herë me superiore nga njerëzimi.

Por, a është vërtet kështu? Nga Gjermania mbërrin një teori e çuditshme. Michael Hippke i Observatorit të Sonnenbergut thotë se me gjasa alienët nuk janë në gjendje që të fluturojnë përtej planeteve të tyre.

Hippke e mbron teorinë e tij me faktin që shumica e planeteve të zbuluara në atë që njihet si “Zona e jetës” janë dy herë më të mëdhenj se Toka, pra janë super-Toka. Kjo do të thotë më shumë burime për rritjen e një forme inteligjence atje, por që vjen me një kosto.

“Super-Tokat e zbuluara deri më tani janë përgjithësisht me diametër dy herë më të madh se planeti ynë. Kjo do të thotë se edhe graviteti në këta planetë është dyfish më i lartë se graviteti në Tokë”, thotë Hippke.

Çfarë do të thotë kjo për të?

“Kjo do të thotë se nëse një qënie inteligjente në një planet të tillë do t’i shkojë ndonjëherë ndërmend që të fluturojë jashtë planetit të vet, do t’i duhen 10 herë më shumë sforco sesa i duhet njerëzimit për të mposhtur gravitetin”, thotë Hippke.

Për të ilustruar ndryshimin që sjell graviteti, Hippke sjell si shembull raketën e SpaceX “Falcon Heavy”. Në tokë ajo peshon 1500 tonë.

“Nëse kjo raketë do të zhvendosej në një planet me diametër dy herë më të madh se Toka, do të nevojitej një anije kozmike 15 mijë tonëshe për të kryer të njëjtin funksion që kryen “Falcon Heavy” në Tokë”, deklaron ai.

Studiuesi gjerman thotë se kjo mund të ketë “demoralizuar” alienët nga aventurat në hapësirë dhe thjesht qëndrojnë në planetin e tyre.

Megjithatë, teoria e Hippkes është sfiduar nga një grup tjetër kolegësh. Ata thonë se një gravitet më i lartë do të shoqërohej me një dendësi ajri më të madhe, e për pasojë do të reduktohej energjia që kërkojnë mjetet fluturuese. Po ashtu, një planet dy herë më i madh se Toka, detyrimisht thonë kundërshtarët, do të kishte forma jete më të larmishme dhe evolucioni atje do të ndodhte me një shpejtësi më të madhe sesa në Tokë.

Top Channel