Pas vitesh të tëra studimi dhe përpjekjesh për të zbuluar një dhomë të fshehtë në varrin e Tutankhamunit, ekspertët egjiptianë janë dorëzuar dhe pranojnë se një vend i tillë nuk ekziston.

Deri vonë, arkeologët ishin 90% të bindur se kishte një dhomë sekrete pas murit të varrit 3.000-vjeçar të faraonit-adoleshent.

Një teori madje sugjeronte se mund të bëhej fjalë për vendin ku ishte vendosur të prehej Mbretëresha Nefertiti, për të cilën disa thonë se ka qenë e ëma e Tutankhamunit.

Verifikimet e reja, megjithatë lënë të kuptohet se në strukturë nuk ka asnjë dhomë të kësaj natyre. Kërkimi për varrin e fshehtë nisi kur arkeologu anglez, Nicholas Reeves, duke shqyrtuar skanimet e hollësishme të dhomës, zbuloi ato që dukeshin si gjurmë të zbehta, apo “fantazma” dyersh nën suva.

Studimi i tij i vitit 2015, “Varrimi i Nefertitit” argumentonte se varri relativisht i vogël ishte konceptuar fillimisht për Nefertitin, e se eshtrat e saj ndoshta mund të ndodheshin në një kthinë të veçantë brenda varrit të faraonit të ri.

Eshtrat e Mbretëreshës legjendare, të famshme për bukurinë e saj të rrallë, nuk janë gjetur kurrë, ndërsa ajo vet ka qenë subjekt spekulimesh pafund. Një skulpturë 3.000-vjeçare e Nefertitit, e ruajtur në mënyrë të përsosur, e ka kthyer atë në njërën prej femrave më të njohura të Egjiptit të lashtë.

Top Channel