“Twitter”-i u ka bërë thirrje më shumë se 300 milionë përdoruesve të tij të ndryshojnë fjalëkalimet, pas ekspozimit të tyre për shkak të një virusi.

Ekspertët e rrjetit social nuk kanë identifikuar ndonjë shenjë që të tregojë se të dhënat në fjalë janë përdorur nga persona të tjerë, megjithatë e rekomandojnë si masë paraprake ndërrimin e fjalëkalimeve.

Nga sa pohon kompania, virusi goditi gjatë një problemi në procesin që maskon të dhënat, duke i zëvendësuar ato me një varg të rastësishëm gërmash që ruhen në sistemin e “Twitter”-it.

Gjiganti me bazë në San Francisco nuk specifikoi sesa fjalëkalime janë ekspozuar, apo se për çfarë periudhe bëhet fjalë.

“Kur zgjidhni një fjalëkalim për llogarinë tuaj, ne përdorim një teknologji që e fsheh atë, me qëllim që askush, as brenda shoqërisë, të mos e shohë dot”, thuhet në mesazhin e drejtuesve të kompanisë.

“Por, së fundi identifikuam një problem, prej të cilit fjalëkalimet shfaqen në sistemet e brendshme”.

“Situata është zgjidhur, por kujdesi – shtojnë ata, – nuk është asnjëherë i tepërt”.

Incidenti vjen në kohën kur rrjeti më i madh social i globit, Facebook u përfshi në skandalin e përdorimit të të dhënave të miliona përdoruesve të tij nga kompania konsulente “Cambridge Analytica”.

Top Channel