Zyra e Komisionerit për gjuhë pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës organizoi konferencën e pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve të Gjuhëve me temë “Shumëgjuhësia: vlerë dhe/apo obligim”.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se qeveria e Kosovës po punon në koncept dokumentin për formimin e njësisë për përkthime dhe theksoi se korniza ligjore e avancuar në fushën e të drejtave gjuhësore mundëson zhvillimin e vendit në këtë drejtim.

“Kosova është specifike për sa i përket gjuhëve dhe ka dygjuhësinë zyrtare. Pra Kosova është një prej vendeve që i ka dy gjuhë zyrtare, gjuhën shqipe dhe atë serbe. Gjuha serbe, si gjuhë zyrtare në zbatim ka disa vështirësi, pra me Kushtetutë, me ligje është gjuhë zyrtare, por që në zbatim ka disa vështirësi. Vështirësitë vijnë edhe në përkthim, në përgatitje të legjislacionit me kohë dhe veçanërisht në komunikim në të gjitha nivelet”, tha kryeministri Haradinaj.

Komisionieri i Gjuhëve në Kosovë, Slavisa Mladenovic, theksoi se Komisionerët për gjuhët ekzistojnë në shtete si në Uells, Kanada, Belgjikë apo Spanjë me mandatë të njëjta si Komisioneri në Kosovë. Mladenovic tha se konferenca do të fokusohet në rolin e të mësuarit të gjuhëve zyrtare në arsim, në administratën publike dhe në proceset e përmirësimit të marrëdhënieve dhe statusit të gjuhëve në shoqëritë e dala nga konflikti.

“Edhe pse ekziston një legjislacion modern në Kosovë, në zbatim vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme të shumta. Në këtë konference këtë vit miqtë e mi ndërkombëtar do të ofrojnë disa ide dhe përvoja që më vonë mund t`i aplikojmë në Kosovë në mënyrë që të promovojmë mbrojtjen e të drejtave gjuhësore”, tha Mladenoviç.

Konferenca nikoqire e së cilës këtë vit është Kosova mbahet çdo vit në shtetet anëtare të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve të Gjuhëve. Në konferencë të pranishëm ishin komisionerë dhe ombudsmanë nga vendet e ndryshme të botës, përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe pjesëmarrës nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile.

Top Channel