Pianodromi shqiptar, artistë nga shumë vende mblidhen në Tiranë

01/05/2018 09:19

Tirana do të jetë për të shatin vit radhazi stacioni i përbashkët i ndalesës së trenave muzikore të festivalit të muzikës së dhomës “Different Trains”.

Nga data 30 prill deri më 7 maj, skena shqiptare do të presë instrumentiste virtuozë nga e gjithë bota, trenat e së cilëve e kanë ndalesën në pianodromin shqiptar.

“Siç e ka edhe emrin festivali janë trena të ndryshëm që bashkohen në një stacion. Është një takim i përvitshëm që prej 6 vitesh. Mendoj që është një ngjarje për qytetin e Tiranës kur vijnë nga jashtë të luajnë në skena të ndryshme dhe bashkohemi bashkë duke luajtur muzike të bukur në një gjuhë internacionale të përbashkët që është gjuha e muzikës së dhomës”, tha Merita Rexha Tershana, pianiste.

Edicioni i shtatë do të sjellë premierë për publikun shqiptar 8 kompozime të reja, ndërsa krahas virtuozeve nga Ukraina dhe Estonia do të përshëndesin skenën shqiptare prej nga edhe nisen rrugëtimin e tyre: Dorian Xhoxhit, violinë e parë në Filarmoninë e Berlinit dhe Vlorent Xhafaj, violincelisti shqiptar i Parisit.

“Ne jemi 4 muzikante me kombësi të ndryshme nga Estonia, Ukraina, Shqipëria dhe Austria që luajmë Dvorzhakun që është çek, por gjuha universale do të na bashkojë që ta mendojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë të bukur dhe harmonike këtë muzikë”, tha Xhoxhi.

Top Channel