Partia Demokratike thotë se Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon përmes raporteve të tij akuzat e opozitës se paratë e drogës po pastrohen në ndërtim.

“Qeveria ka mbyllur sytë përballë pastrimit të parave në fushën e ndërtimit duke lejuar betonimin e parave të krimit të organizuar, që po sipas raportit, e ka vendin tonë strehën e tij të preferuar, pasi siç edhe raporti i DASH vëren, ndonëse ka një ligj për të luftuar pastrimin e parave ai është inefektiv”, thotë përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Sipas Tabakut, raporti tregon edhe shkaqet.

“Shqipëria po gjeneron organizata të sofistikuara sa i takon krimit të organizuar duke përfshirë edhe drogën dhe trafikimin e saj, kontrabandën që favorizohet nga kontrollet e dobëta në doganë. Për rrjedhojë në një ekonomi informale, me para që vijnë nga jashtë në formën e remitancave e kanë shndërruar Shqipërinë në qendrën e operimit rajonal të krimit të organizuar dhe bazë të pastrimit të parave”, shton ajo.

Deputetja demokrate thotë se “raporti është një tjetër provë e asaj çfarë qeveria dhe sejmenët e saj fshehin duke provuar edhe një herë vërtetësinë e akuzave dhe kauzës së ngritur nga opozita”.

Top Channel