Pas seancës në Apelin e UEFA-s, reagon zyrtarisht Skënderbeu

27/04/2018 02:07

Me një reagim për mediat klubi i Skënderbeut ka bërë me dije se nuk ka aspak besim te komisioni i Apelit në UEFA pas seancës së sotme dëgjimore pranë këtij komisioni që zgjati 6 orë dhe që u morën në pyetje disa nga lojtarët aktualë por edhe ish lojtarë të skuadrës bardhekuqe.

Megjithatë te Skënderbeu janë optimistë se të drejtën do ta fitojnë në KAS-in e Lozanës, teksa presin që gjykata e abritrazhit sportiv t’i shpallë të pafajshëm dhe t’u heqë dënimin 10-vjeçar për mospjesëmarrje në kompeticionet europiane dhe gjobën prej një milionë eurosh që u ka vendosur UEFA.

Ja deklarata e plotë për mediat e klubit të Skënderbeut:

Deklaratë për shtyp!

Sot, më datë 26.04.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në komisionin e apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ me përjashtim për një periudhë 10 vjeçare nga kompeticionet europiane dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro nga komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.

Përfaqësuesit tanë ligjorë, kanë argumentuar sërish para trupave gjykuese të UEFA-s mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.

Në seancën e zhvilluar sot në Lozanë, para panelit kanë dëshmuar pjesëtarë të stafit drejtues, lojtarë aktualë dhe ish lojtarë të Skënderbeut, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s.

Duke marrë në konsideratë ekzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organeve gjykuese, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ rikonfirmon edhe njëherë mosbesimin për drejtësi në këtë fazë fillestare të procesit dhe shprehim edhe njëherë bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultatet e pritura në CAS, (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv).

Top Channel