Më shumë se 200 milionë paund do të mjaftojnë për të nisur rindërtimin e Arsenalit pas plot 22 vitesh nën drejtimin teknik të Arsene Wenger. Ai që kërkoi një buxhet kaq të madh është Luis Enrique, kandidati numër 1 për të pasuar francezin në pankinën e skuadrës londineze.

Tekniku spanjoll që do të paguhet thuajse njësoj si paraardhësi (10 milionë euro në sezon), ka kërkuar, veç emërimeve në staf, edhe përmirësime në të gjithë repartet. Objektivi numër 1 i Arsenalit është kthyer Radja Nainggolan, ndërsa duket se vetëm sulmi do t’i shpëtojë revolucionit.

Por, nuk ndalet vetëm me kaq revolucioni dhe vera e nxehtë e futbollit anglez, ai që vitet e fundit dominon merkaton. Edhe te Chelsea ka transformime në horizont, pasi largimi i Antonio Contes duket thuajse i sigurtë. Pronari rus Roman Abramovich ka udhëzuar bordin që të procedojë sipas planit me blerjet e reja, pavarësisht trajnerit të ri, madje duke garantuar edhe një çek të majmë. Si për ironi, ishin pikërisht blerjet e munguara në bazë të konfliktit të Contes me drejtuesit.

Te Tottenham duket se do të largohen të paktën 4 futbollistë cilësorë: Danny Rose, Toby Alderweireld, Victor Wanyama e Mousa Dembele. Këta do të garantojnë 200 milionë euro të ardhura që do të investohen sërish. Objektivi kryesor është bindja e Harry Kane për të qëndruar besnik ndaj kontratës.

Top Channel