Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës që të dënojë me 5 vite burg për dyshimet e korrupsionit Artur Zoton, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Prokurorja që po e heton ish-zyrtarin e lartë kërkoi gjithashtu edhe një tjetër dënim plotësues, që Zotos t’i hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Ish-numri një i Burgjeve përgjatë viteve 2013-2016 mbahet në paraburgim prej më shumë se një viti. Ai është gjykuar veçmas grupit të të akuzuarve të tjerë, mes tyre vartësi i tij Iliaz Labi, me detyrë ish-zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si edhe disa administratorë firmash që garonin fiktivisht për tenderin e ushqimit në burgje.

Gjatë këtyre muajve, Artur Zoto ka pretenduar se është i pafajshëm, ndërkohë që u fundos nga dëshmia e ish-vartësit Labi. Ai tregoi se kishte marrë 2 milionë lekë në emër të ish-drejtorit të përgjithshëm, të cilat ia kishte dorëzuar atij.

Më herët, prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor edhe të Labit, i cili për shkak se ka fituar nga statusi i dëshmitarit të drejtësisë, u kërkua që dënimi me 5 vite burgim t’i pezullohet.

I vetmi që mbahet në paraburgim për këtë aferë korrupsioni është Zoto.

Top Channel