Paratë e lobimit të LSI-së, në investigimin e “Mother Jones”; LSI: Mashtrim, do ta padisim

26/04/2018 15:21

“Mother Jones” i është rikthyer investigimeve të saj mbi vendin tonë, duke shënjestruar këtë radhë një tjetër parti shqiptare dhe ish-kryetarin e saj, që tani është president.

Pas artikullit të bujshëm të saj mbi lobimin e Partisë Demokratike në SHBA, revista amerikane përmend në shkrimin e saj më të fundit veprimet e mistershme të kompanive “offshore” në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kush e pagoi Buck McKeonin në emër të një partie politike shqiptare?”, është titulli i raportit që shpjegon sesi vitin e kaluar, ish-kongresmeni republikan Hoëard “Buck” McKeon, që kryesonte Komisionin e Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, u pagua për të lobuar në favor të një partie politike shqiptare, që donte të lidhej me administratën e presidentit Trump dhe republikanët e Kongresit.

Shumica e shërbimeve të firmes mbulohej financiarisht nga një kompani “guaskë” qipriote, “Dorelita Limited”. Mbulimi përmes saj ishte kryer nga një avokat qipriot, i specializuar në krijimin e korporatave “offshore” dhe që kishte bashkëpunuar me kompani të lidhura me oligarkë rusë.

Tani, kompania guaskë kontrollohet (të paktën në letër) nga një avokat me bazë në Athinë, i cili ka qenë këshilltar i një miliarderi grek shumë të debatueshëm. Burimi i parave që kalonin nga “Dorelita” te grupi “McKeon”, firma lobuese e krijuar nga McKeon në vitin 2015 pasi la Kongresin, mbetet i mjegullt.

Në fakt, – thotë “Mother Jones”, – ky mund të jetë qëllimi i vërtetë. Këto manovrime ngrenë pyetje se kush ka paguar për lobimin në Amerikë në favor të një partie të vogël shqiptare, fuqi e tretë, LSI-në, para zgjedhjeve të vitit të shkuar.

Revista shkruan se marrëveshja misterioze jep një tjetër shembull të interesave të dyshimta që shfrytëzojnë kompani “offshore”, të cilat përdorin sistemin politik të SHBA-ve për të ndikuar politikën në Ballkan.

Puna e McKeonit për “Dorelita”-n vë në dukje, – sipas revistës, – sesi ligjet amerikane për lobim ua lehtësojnë punën enteve me interesa të huaja që të përdorin kompani “guaskë” dhe grupe të ndryshme, duke shtyrë axhendat e tyre në Uashington edhe pa zbuluar identitetin apo qëllimin e vërtetë të këtyre lëvizjeve.

Kjo tregon sesi aktore të ndryshem nëpër botë përdorin kompani “guaskë” për të fituar ndikim politik në mënyrë anonime në SHBA dhe në vende të tjera.

Pas publikimit të shkrimit, një ditë më parë, reagoi edhe LSI-ja, duke e cilësuar artikullin një mashtrim, pa fakte dhe të shtrembëruar. Përgjigjet e LSI-së nuk janë reflektuar në shkrim, thuhet në reagimin e tyre, duke e quajtur me ironi “Father Soros”. LSI-ja ndërkohë pyet sesa herë “Mother Jones” ka komunikuar me Endri Fugën dhe thotë se revista tregoi se paguhet me paratë e drogës dhe krimit të organizuar të Edi Ramës. LSI-ja njofton se do ta hedhë në gjyq revistën amerikane.

Top Channel