Ngjarja e rëndë në Kamëz, policia akordon shpërblim për informatorët

26/04/2018 01:07
Foto ilustruese

Ngjarja e rëndë e ndodhur në qytetin e Kamzës, ku humbi jetën pronari i një marketi dhe u plagos bashkëshortja e tij, gjatë një tentative për grabitje, që u bë ndaj biznesit të tyre, ka vënë në lëvizje policinë e shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Specialistëve të Departamentit të Policisë Kriminale, po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Janë shoqëruar deri tani 13 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale, të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.

Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion 500.000 lekë për cilindo që jep informacion të vlefshëm për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Për çdo informacion që do shërbejë për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, policia ka vënë në dispozicion numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar ruajtjen e anonimatit.

Top Channel