Në Ballkan prej vitesh nuk ka më luftëra. Vendet e tij janë në faza të ndryshme të afrimit me Bashkimin Europian, ndërsa në strategjinë e zgjerimit të Unionit ka edhe një kërkesë të prerë për anëtarësimin e plotë: zerim të konflikteve ndërfqinjësore të së shkuarës.

25 vite e parë ky ishte edhe mesazhi i Papa Gjon Palit II, ku preku tokën shqiptare. Presidenti Ilir Meta solli në mend fjalët e tij ndërsa ishte i pranishëm në festën e Zojës së Shkodrës.

“Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon, këshilloi Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite dhe ndjenja e atdhetarizmit nuk duhet të degjenerojë në një nacionalizëm agresiv. Ky mesazh i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë, të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të vetëpërmbajtjes. Koha provoi se nacionalizmi agresiv do të përgjakte popujt e Ballkanit duke lënë pas frikë, urrejtje dhe armiqësi të mëdha e plagë ende të pashëruara”, tha Meta.

Edhe një zotim presidencial pro europian.

“Nga ky vend i shenjtë dëshiroj të garantoj se Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur në rrugën e tyre të integrimit në familjen evropiane, nga e cila vijmë dhe të cilës i përkasim”, tha Meta.

Gjithashtu duke nënvizuar harmoninë fetare në vendin tonë, presidenti Meta theksoi se është detyrë morale e të gjithëve të luftojnë kundër sjelljeve dhe veseve që degradojnë familjen dhe shoqërinë.

Top Channel