Këshilli i Bashkisë së Tiranës, vendime në ndihmë të shtresave në nevojë

26/04/2018 11:33

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës të kësaj të enjteje pritet të miratohen një sërë vendimesh të rëndësishme me karakter social, që do kenë ndikim në jetën e shumë familjeve dhe qytetarëve të kryeqytetit.

Kështu, pritet miratimi i projektvendimit mbi dhënien e ndihmës ekonomike për 3.545 familje në kryeqytet, ndërmjet të cilëve personat me statusin e jetimit, viktima të dhunës në familje, individë viktima të trafikimit, apo edhe familjet me shumë fëmijë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është ai për kompensimin e energjisë elektrike për kategoritë në nevojë.

Më konkretisht, individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, që kanë nevojë për kujdestarë, si dhe individët përfitues të statusit të të verbrit, që gjithashtu kanë nevojë për kujdestarë, u jepet kompensim për faturën e energjisë elektrike në masën 2.000 lekë në muaj.

Ndërsa për individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe individëve përfitues të statusit të të verbrit, të cilët nuk kanë nevojë për kujdestarë, pritet t’u jepet një kompensim për faturën e energjisë elektrike në masën 1.400 lekë në muaj.

Kategoritë e tjera që përfitojnë kompensim për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kW/h në muaj janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Gjithashtu, Këshilli Bashkiak do të miratojë dhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e njësive administrative nën administrimin e Bashkisë Tiranë.

Top Channel