Juventus dhe Napoli do t’i luajnë ndeshjet e tyre të dy javëve të fundit të kampionatit italian në të njëjtin orar.

Ky është vendimi i marrë nga Lega Serie A, që pranoi pjesërisht propozimin e bërë nga Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis. Ky i fundit kishte kërkuar që ky sistem për këto dy skuadra që janë në garë të plotë për titullin të përdorej për 4 ndeshjet e fundit, por realizimi i kësaj kërkese ishte praktikisht i pamundur.

Kështu, ndeshjet e javës së 37 mes Romës e Juventusit dhe Napolit e Sampdorias do të luhen të dielën e 13 majit, në orën 20:45 dhe janë pikërisht këto dy ndeshje që mund të përcaktojnë edhe skuadrën kampione të Italisë, ndërsa në javën e fundit Juventusi do të luajë me Veronën, ndërsa Napoli me Crotonen.

Por, modifikimi i kalendarit nuk prek vetëm Napolin e Juventusin. Për të evituar ndonjë manipulim të mundshëm, Lega Serie A vendosi që edhe ndeshjet për zonën Champions, Europa League dhe rënien nga kategoria të luhen në të njëjtin orar, por në këtë rast fillimisht do të pritet sesi do të shkojnë ndeshjet e kësaj fundjave.

Top Channel