Gjermania në mëdyshje, Rama: Nuk shkuam për të marrë “Po”-në! Krichbaum s’më ka thënë gjë në sy

26/04/2018 17:58

Kryeministri Edi Rama e quajti një mision të përmbushur dhe një vizitë të suksesshme vizitën dyditore në Gjermani.

“Kemi folur në detaje për të gjitha aspektet e raportit të progresit, për ecurinë në 5 prioritete, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe patjetër për progresin e bërë me vettingun, që ka një vëmendje të veçantë nga të gjithë, edhe nga kancelarja”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri thotë se vizita nuk synonte që të merrte “Po”-në publike nga Angela Merkel, ndërsa rrëzoi pohimin e Gunther Krichbaum, kryetar në Komisionin për Çështjet Europiane në Bundestag, i cili deklaroi përmes rrjeteve sociale se ja kishte thënë në sy Edi Ramës se hapja e negociatave për Shqipërinë është e parakohshme.

“Ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është një surprizë për mua. Ai kështu e mendon dhe mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as që më gjen të papërgatitur dhe as përbën një arsye për mua që të më ulet kenaqësia e rezultateve të kësaj vizite”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi pozitive atmosferën e gjetur në Berlin dhe thotë se nga takimet që pati atje nuk gjeti asnjë zë të prerë kundër hapjes së negociatave.

Top Channel