“Diva” të muzikës shqiptare. Koncert me Irmën, Rovenën, Enedën dhe Besën

26/04/2018 15:27

Në konceptin e një koncerti të mirëfilltë, ku në qendër të jenë këngëtaret shqiptare të skenave të mëdha, për herë të parë Rovena Dilo, Irma Libohova, Eneda Tarifa dhe Besa Kokëdhima do të ngjiten në të njëjtën skenë më 16 maj, në një spektakël që në qendër ka divat e muzikës shqiptare.

“Sigurisht që nuk jemi vetëm ne të katërta, prandaj është titulluar ‘Diva’ për ta lënë më të përgjithshëm, por edhe të përveçëm, konceptin e artistes shqiptare që mund ta mbajë këtë format kaq të rëndësishëm siç është ‘Diva’”, shprehet Rovena Dilo, këngëtare.

“Kemi zgjedhur këngët që janë më të bukurat dhe që ndoshta janë bërë me viralet, këngë që edhe njerëzit të na shoqërojnë në sallë”, thotë Irma Libohova, këngëtare.

Secila prej artisteve ka një repertor të gjerë artistik, prej të cilit do të sjellin 28 materiale në 120 minuta koncert.

“Kemi materialet më të mira të riorkestruara dhe të sjella me shumë shije nga Elton Deda. Target grupi është femra, roli i saj dhe suksesi në jetën e saj në shoqëri dhe në arritjet personale të vetat”, deklaron Eneda Tarifa, këngëtare.

Nëse interesi në publik për nostalgjinë e këngëve të 4 divave të skenës shqiptare do të jetë i lartë, artistet mendojnë që ta organizojnë për tri mbrëmje rresht recitalin e përbashkët, më 16-17-18 maj, në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Top Channel