“Bashkitë, motor pozitiv për integrimin e Shqipërisë”, publikohet raporti

26/04/2018 16:44

Performanca e pushtetit vendor në çështje që lidhen me BE-në u diskutua në një takim të zhvilluar ditën e sotme në Tiranë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte një delegacioni i BE-së në Shqipëri, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe kryebashkiakët shqiptarë dhe 61 koordinatorët vendorë të BE-së në bashkitë shqiptare.

Mësohet se diskutimet u përqendruan në progresin e bërë drejt ngritjes së sistemeve efektive institucionale dhe administrative për avancimin e procesit të integrimit evropian në nivel vendor.

Deri në janar të vitit 2018, me mbështetjen e projektit “Bashkitë për Evropën” të financuar nga BE-ja, janë ngritur në çdo bashki shqiptare “Kënde të BE-së”, që u drejtohen autoriteteve vendore dhe publikut shqiptar me informacione mbi BE-në, politikat, fondet dhe programet e saj. Projekti sapo ka publikuar një raport të performancës së bashkive mbi çështje që lidhen me BE-në, i pari i këtij lloji që u prezantua sot në konferencë.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin theksoi se anëtarësimit në Bashkimin Evropian përfshin të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të gjithë shoqërinë dhe se Shqipëria nuk do të zhvillohet nëse të gjitha pjesët e saj nuk do të jenë në gjendje dhe mjaftueshëm të forta për t’u zhvilluar gjithashtu.

“Decentralizimi fiskal është thelbësor në mënyrë që bashkitë në Shqipëri të marrin kontribute të konsiderueshme tatimore nga bizneset që operojnë në territoret e tyre”, tha Ambasadorja Vlahutin.

Raporti i performancës është një pamje e asaj se si po ia dalin bashkitë shqiptare në përmbushjen e përgjegjësive që lidhen qartazi me procesin e anëtarësimit të vendit. Bashkitë japin një kontribut në fusha të rëndësishme, siç janë sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, politikat sociale, bujqësia dhe zhvillimi rural, arsimi dhe mjedisi.

Tani që Shqipëria po zhvillon një arkitekturë institucionale dedikuar integrimit në BE në nivel vendor, pritet që ky ushtrim të bëhet një pikë referimi e rregullt për monitorimin e progresit të integrimit në BE në nivel vendor.

Historik

Projekti i financuar nga BE-ja “Bashkitë për Evropën” është një iniciativë që synon forcimin e kapaciteteve qeverisëse të Shqipërisë që lidhen me Bashkimin Evropian dhe drejtimin qytetarëve shqiptarë dhe administratave vendore shqiptare me informacion mbi BE-në, politikat, fondet dhe programet e saj. Në mënyrë specifike, projekti ndihmon të gjitha bashkitë e Shqipërisë për krijimin e një ndërfaqeje efektive ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë përmes ngritjes së “Këndeve të BE-së”; rritjen e ndërgjegjësimit për Instrumentin e Asistencës së para Anëtarësimit (IPA) dhe fondeve të tjera relevante të BE-së në dispozicion të bashkive dhe qytetarëve shqiptarë; përmirësimin e kapaciteteve të palëve të interesuara në terren për të përfituar nga këto fonde dhe programe; ofrimin e trajnimeve se si të konceptohen, si të skicohen projektet dhe si të paraqiten aplikimet; si dhe kontribuon për davaritjen e miteve dhe ideve të gabuara në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE. Projekti gëzon mbështetjen e plotë të qeverive qendrore dhe vendore të Shqipërisë, formalizuar në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në Durrës, më 5 dhjetor 2016.

Top Channel